Shqipëria do të hapë së shpejti ambasadë në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama në Sarajeë gjatë konferencës së shtypit me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.
“Dëshirojmë t’i forcojmë marrëveshjet me Bosnje-Hercegovinën dhe jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë. Në Bosnje Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në Kushtetutë në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë”.
Rama foli edhe lëvizjen e lirë vetëm me kartë identiteti mes vendeve të Ballkanit, gjë të cilën Bosnje-Hercegovina nuk e aplikon për shqiptarët e Kosovës.
“Nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe vende të tjera dhe unë ja thashë dhe Kryeministrit që jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre, ndërkohë që politika duhet t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim.Unë dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje, edhe Bosnje-Hercegovina do ta bëjë këtë gjë”, u shpreh Kryeministri Rama.