Në Gjykatën e Elbasanit po jepen sot konkluzionet përfundimtare të avokatëve për ngjarjen e 21 prillit të 2021, në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Kjo ngjarje ndodhi në fushatë elektorale dhe u cilësua si ngjarje për motive politike.
Një javë më parë Prokuroria në konkluzionet e saj përfundimtare kërkoi 25 vite burg për Arben Paplekajn duke i qëndruar akuzës në nisje të gjykimit ‘Vrasje në rrethana cilësuese”.
Ndërsa për punonjësit e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre, prokuroria kërkoi 1 vit burg.
Në konkluzionet e sotme, mbrojtja argumentoi se vrasja e Pjerin Xhuvanit është kryer në kushte të vetëmbrojtjes, duke faktuar me dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, pamjet filmike dhe ekspertizat ligjore.
Sa më sipër mbrojtja kërkoi pafajësi për Arbër Paplekajn.
Sipas mbrojtjes prokuroria nuk ka marrë parasysh as eskpertizën mjeko ligjore të kërkuar nga vetë organi i akuzës ku mjekët shprehen se në momentin e ngjarjes Arbër Paplekaj ka qenë në gjendje të rënduar psikike, çka ka sjellë vetëdije të dobësuar dhe e shkaktuar nga rrethanat e një sulmi të papritur, i cili ndodhi në pak sekonda dhe ku u desh një reagim i menjëhershëm i ndodhur nën breshërinë e plumbave për të mbrojtur jetën.
Edhe avokatët mbrojtës të punonjësve të policisë kanë kërkuar pafajësi për klientët e tyre. Sipas tyre prokuroria nuk ka vërtetuar dhe faktuar shpërdorimin e detyrës.
Madje avokatët kanë vënë në dyshim standardet e prokurorisë e cila sipas tyre nuk përfshin në gjykim një police të plagosur në vendin e ngjarjes. Ndërsa policët e tjerë që ishin aty së bashku gjykohen.
Në këtë seancë është paraqitur dhe një deklaratë e polices së plagosur në ngjarjen e 21 prillit të 2021.
Xhensila Sota kërkon që Arbër Paplekaj të mos gjykohet për plagosjen e saj. Kjo deklaratë i është shtuar dosjes si shprehje vullneti i Sotës.