Në komisariatin e Krujës është kryer një furtunë shkarkimesh pas ngjarjes së ndodhur 3 ditë më parë, ku anëtarë të fisit Rraja ushtruan dhunë barbare ndaj dy anëtarëve të fisit Maja.
Policia konfirmoi këtë pasdite se ka shkarkuar të tërë trupën e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë.
Gjatë kohës që do të kryhet rinovimi, drejtimin e komisariatit të Krujës do ta marrë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.
“Në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tri ditë më parë anëtarë të fisit Rraja rrahën barbarisht 2 persona me mbiemër Maja në Fushë-Krujë, për një gurore në fshatin Borizanë. Pamjet e dhunës barbare u filmuan nga anëtarët e fisit Rraja dhe u shpërndanë në rrjet.
Bilbil Maja dhe Jashar Maja u dërguan më vonesë në spital, pas plagëve të marra, ndërkohë që policia ndërhyri me vonensë.
Për ngjarjen e rëndë janë shpallur në kërkim 5 anëtarë të fisit Rraja: Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja si dhe Edison Meta. Deri më tani kanë rënë në prangat e policisë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.
Pas takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi policia njoftoi për shkarkim të gjithë trupës të Komisariatit të Policisë Krujë.
Drejtues i Parë Tonin Vocaj është aktualisht drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.