Këtë fundjavë u finalizua gara ndërkombëtare e varkave me vela, që ndryshe njihet edhe si “Regata e Miqësisë”, Brindisi-Vlorë.
Mes 35 velierave që morën pjesë në këtë garë, 15 prej tyre u vlerësuan me çmim.
Velierat pushtuan brigjet e Vlorës që nga data 6 korrik, duke finalizuar këtë të dielë garën që zhvillohet për të dytin vit radhazi në Marina Orikum.
Në mënyrë simbolike zyrtarë nga rajoni i Puglias mbërritën me hidroplan për t’u bërë pjesë e kësaj ceremonie.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Marina Orikum, deputetë të parlamentit italian, kryetarit të Bashkisë të Bridisit dhe të tjerë.
Kryeministri Edi Rama e quajti këtë një pushtim të këndshëm.
“E mirëpres krahëhapur çdo aktivitet italin, ky është një pushtim shumë i këndshëm. Shpresoj që kryetari i ri Bashkisë, Ermal Dredha të bëjë të gjitha ato që tha. Unë shpresoj që Vlora do të jetë gjithnjë e më mikpritëse dhe gjërat do të shkojnë gjithnjë e më mirë.
Për CEO-n e “Concord Investment”, Artan Dulakun kjo regatë pritet të zgjerohet edhe më tej edhe në Sarandë.
“Tashmë kjo është një traditë, që me siguri do ta vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme. Vitin tjetër do të bëjmë Brindisi-Vlora dhe Vlorë-Sarandë. Jeni të gjithë të mirëpritur në marinën e ardhshme që do të fillojë shumë shpejt.”
Kryetari i Bashkisë së Brindisit tha se kjo regatë miqësie hap rrugë për bashkëpunime të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha shpalosi projektin për të bërë aktivitete 12-mujore, që sipas tij, do të ndodhin shumë shpejt.
Ky aktivitet u realizua falë partneritetit të Marina Orikum me “Lega Navale Italiana”. Kjo marrëveshje pritet që të gjejë zbatim edhe në vitet në vazhdim.