Rreth 679 mijë lekë në vit është kostoja që shteti shqiptar paguan për formimin e një mjeku të përgjithshëm. Kjo tarifë e përllogaritur është bërë publike në relacionin për projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Duket se do të jetë kjo përllogaritje mbi bazë të së cilës do të përcaktohen edhe tarifat që do të aplikohen në vitin akademik 2023-2024, për të gjithë ata studentë që nuk do të nënshkruajnë marrëveshjen për punësim 2-5 vite në sistemin publik shqiptar pas diplomimit.
Studentët e mjekësisë aktualisht kanë një tarifë vjetore prej 45 mijë lekësh, e cila përgjysmohet në bazë të mesatares. Sipas të njëjtit relacion, aktualisht janë 863 studentë të cilët përfitojnë përjashtimin nga tarifa e studimit, me efekt financiar 38. 835 000 lekë dhe sipas një skenari më realist, supozohet se 50% e studentëve do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen.
Në projekt ligj është përcaktuar që për studentët e vitit të parë, detyrimi për të punuar në sistemin publik do të jetë 5 vite, ndërsa për studentët e vitit 2 deri në të 4, detyrimi do të jetë 3 vite dhe ata që janë në vitin e 5 dhe të 6 detyrimi do të jetë 2 vite.
Në rastet kur do të pranohet marrëveshja, studenti do të paguajë vetëm 25 mijë lekë në vit. Në rastin kur studenti nuk do të pranojë marrëveshjen do të përballet me tarifat që vijnë nga kostoja reale që shteti shpenzon për to.
Sipas ekspertëve, nëse asnjë student nuk do të pranojë marrëveshjen por do të paguaj tarifën, pritet të sjell 1,6 miliardë lekë shtesë në buxhetin e universitetit.