Avokati Saimir Vishaj deklaroi gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, se SPAK-u duhet të përshëndetet në lidhje me kërkesën e dorëzuar në Kuvendin e Republikës për arrestimin e Arben Ahmetaj.
Avokati theksoi se nuk është e lehtë të kërkosh arrestimin e personave që e kanë buxhetin personal më të madh se vetë Prokuroria e Posaçme.
Ndaj ai shtoi se SPAK duhet të përgëzohet në këtë moment, pavarësisht nëse Ahmetaj do të arrestohet apo jo.
“Ahmetaj kur shkoi në SPAK shkoi me imunitetin e depuetit gjë që e vështirësoi qënien e tij si person në hetim, apo person që i atribuohet një vepër penale. Sot SPAK duhet përshëndetur për iniciativën që ka marrë pasi nuk është kollaj të marrësh zotin Ahmetaj aty apo ndonjë person tjetër që sa e ka buxhetin SPAK e kanë ata personalisht. Është shumë e vështirë dhe SPAK-u duhet përshëndetur në këtë moment”, tha avokati.
Avokati shtoi se kërkesa për arrestimin e tij zbatohet vetëm nëse Këshilli i Mandateve i heq imunitetin, ose nëse vetë deputeti e lë me dëshirë atë.
“Në momentin që një deputet heq dorë nga mandati, nuk ka pse të shkojë përballë Komisionit të Mandateve, por mund t’i drejtohet si një njeri i lirë SPAK-ut. SPAK-u nuk do të thotë që me heqjen dorë do të vendos arrest me burg, janë 7 masa të tjera sigurie që mund të vendosen”, tha Vishaj.