Pas tre vjetësh është sjell në Shqipëri zemra e Saimir Sulës.
Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka përfunduar procesi i riatdhesimit më 15 korrik 2023.
Sula kishte vdekur në vitin 2020, në Barcelonë.
Procesi i kthimit të zemrës, kishte nisur pas kërkesës nga Majlinda Sula, e cila është motra e të ndjerit.
Kjo ministri ka dhënë detaje rreth procesit të kthimit.
Në njoftim theksohet se nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.
“Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, organin (zemrën) e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve”.
“Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike”.
“Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës). Prokuroria e Tiranës në kohë rekord nga momenti i njoftimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme morën masat për realizimin e procedurës së riatdhesimit të zemrës. Prokurori i çështjes, njëkohësisht, në përmmbushje të detyrimeve ligjore njoftoi familjarët për praninë gjatë procesit të riatdhësimit”.