LIVE: Tensione në Kuvend, grupimi i Berishës përplaset ashpër me mazhorancën!

Shqipëria

LIVE: Tensione në Kuvend, grupimi i Berishës përplaset ashpër me mazhorancën!

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 11:18 Përditësuar në ora: 12:36 më 20.07.2023
Sali Berisha

“Jap dorëheqjen…”/ Inceneratorët ndezin Kuvendin, Balla replikon ashpër me Sulën: Mos na digjni “Flamurin” se na duhet

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka replikuar ashpër me ministrin e Brendshëm, Taulant Ballës a i përket aferës së inceneratorëve.

Ishte Sula që u zotua të jepte dorëheqjen në rast se vërtetohet që inceneratori i Elbasanit punon. Po ashtu, demokrati i kërkoi Ramës shkojë në interpelancë për Arben Ahmetajn në Kuvend.

“Inceneratoët janë skemë e pasur korruptive për të mbajtur pushtetin. Mentori ishte Arben Ahmetaj, sepse të mbash pushtetin të duhen para për të blerë votën e të varfërve. Nga 50 euro e çuat votën në 500 euro.  I përdorët për të mbyllur gojën mediave. E keni të qartë që doni të bleni dhe njerëz e drejtues të opozitës vetëm për të mos denoncuar skandalet. Nëse inceratori i Elbasanit punon pas datës 14 maj jap dorëheqjen, punoi vetëm 2 javë për ti hedhur hi syve se u bënë mal plehrat e Elbasanit. Nuk punon inceneratori i Elbasanit. A vlen kjo serë me plasmas tek inceneratori i Tiranës?! 310 mijë euro financuar nga AZHBR?! U financuan për një serë plasmasi që nuk funksionon sot”- tha Sula, duke shtuar se “të gjithë do të japin llogari kush ka futur duart tek inceneratorët.”

Në kundërpërgjigje, socialisti Taulant Balla me nota ironie iu përgjigj që “vetëm Flamurin mos digjni se na duhet”. Ministri i bëri thirrje deputetit demokrat që të mos bëjë premtime të cilat nuk i mban dot.

“Sula, mos e digj mandatin kot, ose të paktën shko e digje nesër, kur do të digjen edhe 90 ton mbetje në impiantin e trajtimit të mbetjeve në Elbasan. Po të duash shko edhe sot, por sot keni çështje tjetër.

Ka qenë në punë. Vetëm mos na digjni “Flamurin” se ky na duhet. Por të tjerat digjini. Punon o Dash! Mos bëj premtime se ia ke marrë dorën kësaj që “e lëshoj mandatin”, “e lëshoj mandatin””- tha Balla.

Tension në seancë, opozita bllokon foltoren e Kuvendit

Është shoqëruar me debate e tension seanca plenare, e fundit për këtë session parlamentar.

Deputetë të opozitës, kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, duke penguar zhvillimet e seancës.

Opozita kërkon të futet në rendin e ditës kërkesa e tyre për cështjen e inceneratorëve, duke kërkuar që në sallën e seancava plenare të vijë kryeministri Edi Rama.

Grupimi i Berishës përplaset ashpër me mazhorancën! Vokshi kërkon shkarkimin e tre ministreve

Grupimi i Berishës është përplasur ashpër me mazhorancën, duke kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në një mocion me debat ditën e sotme.

Pas Berishës, i cili me një pankartë në krah tha se parlamenti sot mbyllet me faqe të zezë për shkak të Edi Ramës, Vokshi ka kërkuar dorëheqjen e tre ministreve të kabinetit qeveritar: Ministres së Arsimit, Evis Kushi dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për shkak të asaj çka po ndodh me studentët, si dhe dorëheqjen e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca për pezullimin e fondeve të IPARD-it për subvensionimin e fermerëve nga Bashkimi Evropian.

Edi Rama duhet të jetë këtu. Jemi Republikë parlamentare, jo Republikë kryeministrore.

Të paktën tre ministra që janë aty duhet të ishin shkarkuar. Si mund të trajtohen kështu studentët? Unë ju bëj thirrje të tërhiqeni sot në miratimin e projektligjit dhe ne si opozitë jemi ofruar që të japim resurset tona në krijimin e një projektligji në benefit të studentëve dhe mjekëve.

Ministrja e Shëndetësisë nuk duhet të ishte sot aty. Si mund të rrijë ajo aty kur s’ka ardhur në asnjë takim, në asnjë diskutim me studentët.

Krifca nuk duhet të ishte sot aty. Duhet të ishte shkarkuar menjëherë pas skandalit të Bujqësisë me programin IPARD II”- tha Vokshi.

Deputetja ka kërkuar të vijonte fjalën megjithëse i mbaroj koha në dispozicion për të folur. Duke replikuar me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ajo i kërkoi të përfundonte fjalën, por nuk iu lejua diçka e tillë me argumentin se nuk po flet për procedurë.

(Vokshi vijon fjalën me mikrofon të fikur)

Nikolla: Mbaroj koha zonja Vokshi.

Vokshi: S’kam mbaruar.

Nikolla: Të mbaroj koha zonja Vokshi, ju nuk po flisni as për procedurë. Po bëni diskutime.

Seanca e fundit në Kuvend, studentët në protestë: Mos prangosni duart që shërojnë

Pas një sezoni të gjatë dhe me shumë zhvillime politike që kanë përfshirë edhe parlamentin, sot do të mbahet seanca e fundit plenare për këtë sesion.

Rendi i ditës parashikon raportimin e disa institucioneve për veprimtarinë e vitit të shkuar ndërsa pritet të kalojnë ligje që kanë hasur jo pak kundërshtime nga opozita.

Në seancë pritet të kalojnë disa projektligje të rëndësishme si ai për legalizimin e kanabisit dhe ligji për studentët e mjekësisë të cilët kanë nisur një protestë në dyert e ambienteve të parlamentit.

Me pankarta në duar studentët kundërshtojnë projektligjin e qeverisë për t’i detyruar të punojnë për një periudhë 5-vjeçare brenda vendit në mënyrë që të mund të pajisen me diplomën e shkollës së lartë.

“Duart që shërojnë nuk duhet të prangosen”, lexohet në një nga pankartat e studentëve.

Paralel me protestat, ata kërkuan përmes një shkrese zyrtare, të marrin pjesë në seancën plenare dhe të dëgjohen në Kuvend.

Kuvendi nis me debat, Bardhi përplaset me Lindita Nikollën: Të largohet garda nga salla

Sot Kuvendi ka nisur me debate!

Nënkryetari i PD-së Gazmend Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ai kërkon që të largohet garda e cila u shfaq pasi Berisha paraqiti një banderolë në foltoren e Kuvendit. Bardhi shprehet se garda duhet të largohet pasi nuk ka asnjë arsye që të shoqërojë deputetë e opozitës.

‘Të largohet garda nga salla, s’ka arsye të shoqërojë deputetët e opozitës në Foltoren e Kuvendit! Ju doni të kaloni në heshtje çështjen e inceneratorëve. Nuk mund të kalojë kjo aferë pa dhënë llogari Edi Rama Frika e Edi Ramës nuk mund të jetë frika e këtij Parlamenti. Rama të marrë guximin e të dalë nga vrima ku është futur e të japë llogari për aferën e inceneratorëve!”, u shpreh Bardhi.

“Plas” në Kuvend! Me pankartë në krah, Berisha kërkon mocion me Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar akt të turpshëm mosfutjen në rend të ditës të mocionit me debat me kreun e qeverisë Edi Rama, sa i përket dhunimit të banorëve të Borizanës nga fisi Rraja.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha e ka konsideruar rastin një shkelje të rëndë ligjore, si dhe akuzoi qeverisë se në këtë formë po barazohej me banditët Rraja për të rrahur qytetarët me shkopa bejsbolli.

“Kushtetuta e parlamentit thotë në mënyrë tekstuale, se një ligj nuk  mund të hyjë në rend dite pa kalaur 48 orë. Ti kryen një shkelje të rëndë ligjore të barabartë me banditët Rraja që rrihni qytetarët me shkopa bejsbolli.

Si mund ti lejosh vetes ti, një gjë të tillë. Nëse ju doni të bëni këtë gjë, ndryshoni rregulloren e parlamentit me procedurën e saj, dhe pastaj zbatoni marrëvreshjen Rama-Doshi, Doshi-Rama dhe Gjinushi. Por ky është i turpshëm, është një akt i turpshëm kjo që bëni. Ky është një provokim i ulët, një shkelmim i ligjeve.

Kur kryetarja e parlamentit që duhet të jetë mbrojtëse, zbatuese kryesore e rregullores, apo kushtetutës së parlamentit e shkelmon atë me dy këmbët, për interesat e Skënder Gjinushit, Tom Doshit dhe Edi Ramës, ky është fundi i këtij parlamenti”- tha Berisha.

Më tej, kreu i Rithemelimit i ka kërkuar Ramës të japë dorëheqjen para shqiptarëve për arratisjen e numrit 2 të qeverisë, Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion.

“Ai zotëria që nxin aty me mungesën e tij duhet të vijë në parlament. Sot mbyllet parlamenti, mbyllet me faqe të zezë për shkakto tij, prandaj të vijë këtu e të dalë para shqiptarëve, sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numri 2 të qeverisë, akt i pashembullt në historinë e shtetit shqiptar në momentin që u kërkua nga drejtësia.

Kurse ju, ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni të drejtën me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do të flasë për zv/kryeministrin? Do të flisni ju, jo ju skeni tagër, do të flasin ministrat, jo ata  nuk kanë tagër. Duhet të vijë kryeministri këtu para shqiptarëve të kërkojë të falur, të denoncojnë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen. 

Të japë dorëheqjen, kjo është rruga dhe këtë presin shqiptarët sot prej tij”- tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat