Mbështetësit e Lulzim Bashës shprehen të sigurt se zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike do të mbahen më 29 korrik edhe pse një mbledhje e këshillit Kombëtar nga Gazment Bardhi, ditën e djeshme e anuloi këtë proces.
Pasi u shpallën vendvotimet ku demokratët në të gjithë vendin mund të shkojnë për të votuar, anëtari i kryesisë, Gazment Koduzi ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka shpjeguar disa nga detajet teknike të procesit.
“Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Informacionin për qendrat e votimit mund ta gjeni pranë Degëve përkatëse ose online në faqen zyrtare të Partisë Demokratike.
Është i ftuar të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e Partisë, çdo anëtar i Partisë Demokratike Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar përgjegjës për administrimin e Listës së Votuesve.
Nuk lejohet fotografimi apo çdo formë tjetër e dokumentimit të mënyrës së votimit.”- tha Koduzi
Sakaq deputetja, Oriola Pampuri përmes një deklarate për mediet i ka bërë thirrje demokratëve që të marrin pjesë në proces dhe të zgjedhin kryetarin e ri të partisë.
“Është e qartë se shqiptarët janë të lodhur me skena e debate, retorike të përsëritur politike, të cilat i interesojnë vetëm një njeriu: Edi Rames.
Shqiptarët duan zgjidhje, duan një opozitë të fortë sot dhe një alternativë qeverisëse nesër. Demokratët duan të rikthehet shpresa. Dhe nga nesër nis rrugëtimi për ndryshimin e shumëpritur”- tha Pampuri.
Pas filtrimit të listës së anëtarësisë së partisë, të drejtën e votës në zgjedhjet e së shtunës e kanë vetëm 25 mijë anëtarë të Partisë Demokratike, nga 75 mijë që e kishin në zgjedhjet e korrikut 2021.