Duket se kanë plasur skenarët post- gusht, ku janë paralajmëruar arrestime politikanësh. Pas operacionit të bujshëm të SPAK dy ditë më parë, ku u arrestuan disa emra të fuqishëm të botës së policisë, biznesit dhe krimit në vend, paralajmërohet se emra të tjerë priten të arrestohen. Ishte gazetarja Anduena Llabani, e cila e ftuar në një intervistë televizive tha se me arrestimin e 15 personave, ku përfundoi në pranga biznesmeni i njohur Pëllumb Gjoka, Oltion Bistri dhe kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita, mësohet se në prokurorinë speciale kanë përfunduar mbi 80 mijë faqe përgjime nga jashtë. Në bazë të këtyre përgjimeve pritet arrestime edhe nga radhët e politikës. “Në SPAK kanë ardhur mbi 80 mijë faqe me materiale ku bëhet fjalë për përgjime, mesazhe, video, persona për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet është e faktuar se komunikonim me njëri-tjetrin. Këto përgjime kanë ardhur nga Franca dhe Belgjika. Në këto 80 mijë faqe nuk bëhet fjalë vetëm për këta 15 urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK, por edhe për emra të anëtarëve të grupeve të tjera kriminale që veprojnë në Shqipëri, mes tyre edhe në nivele pushteti lokal dhe qendror. Burimet më kanë thënë se, do të çuditeni nga emrat që do të dalin më vonë, sepse ky operacion sapo ka nisur”, deklaroi Llabani.
Përgjimet e aplikacionit “Sky ECC”, Karamuço: Ka dosje ‘përvëluese’
Ndërkohë, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka deklaruar se Eurojustic ka në posedim mijëra mesazhe nga përgjimet e aplikacionit “Sky ECC” që mund të çojnë në arrestime të shumta. Dje, në një intervistë televizive, Karamuço tha se në këto përgjime ka dosje ‘përvëluese’ për shumë persona. “Janë mijëra mesazhe të Sky, në kuadër të Eurojustic, që kur kanë marrë këto të dhëna. Në këto mesazhe ka dosje përvëluese. Një historik shumë i madh. Mund të fillojnë arrestime nëse përdoren ato mijëra mesazhe”, deklaroi Karamuço.
Prençi: Po foli Pëllumb Gjoka qeveria Rama bie brenda një dite
Nga ana tjetër, edhe ish-zyrtari i Policisë së Shtetit Shemsi Prençi, komentoi megaoperacionin e zhvilluar nga SPAK në tre qytete, në Tiranë, Shkodër e Kukës, ku mes të arrestuarve ishte dhe Pëllumb Gjoka. Dje, në një intervistë televizive, Prençi nënvizoi se nëse flet Gjoka, qeveria e Edi Ramës do të bjerë brenda një dite.
Sipas tij biznesmeni di shumë gjëra ndërsa shtoi se qeverisë më shumë i ka dhënë se sa i ka marrë.
“Nëse SPAK do të bëjë të mundur që Pëllumb Gjoka të flasë, të garantojë që do të harrohet dëshmia e Nuredin Dumanit. Asgjë nuk janë inceneratorët në krahasim me këtë rast. Nëse do flasë Gjoka, qeveria nuk mund të rri në këmbë qoftë dhe një ditë, jo nga opozita por nga populli. Gjoka i ka përcjellë të gjithë drejtuesit politik të majtë dhe të djathtë, me përjashtim të Edi Ramës dhe Erion Veliaj që i ka miq prej vitesh. Me të gjithë të tjerët ka bërë kompromise dhe interesa pragmatiste. Ka pasur raste që në një tavolinë të fshehtë ka pasur të PD dhe tek tjetra ka pasur të PS. E dinë gazetarët dhe policia. Dhomat e fshehta i kishte aty ku kishte sarajet. Unë si qytetar kam qejf që Pëllumb Gjoka të flasë. Këtyre që janë në pushtet, Pëllumb Gjoka më shumë ju ka dhënë sesa ju ka marrë. Ishalla do të flasë. Po foli, qeveria e Ramës nuk rri asnjë ditë, ai di shumë”, deklaroi Prençi.