Pas mbledhjes informale dy ditore të qeverisë në Tepelenë, kryeministri Edi Rama mbajti një deklaratë për mediat ku foli për zhvillimet në Partinë Socialiste dhe qeveri.
Rama foli dhe për largimin e Gjiknurit, për të cilin tha se nuk ka asnjë lidhje me “thashethemet” që e përfshijnë në aferën e inceneratorëve.
“Po të nisemi në vendimmarrjet tona nga thashethemet apo nga përfshirjet paraprake të kujtdo qoftë në një proces analize, qoftë dhe hetimore, atëherë unë nuk di kush mbetet këtu në këtë vend pa u bërë pis, por po ju them që ndërkohë që raportin tonë me drejtësinë e kemi bërë shumë të qartë dhe e kam bërë shumë të qartë dhe më mbledhjen e fundit të Asamblesë, lëvizja e sekretariatit të gjithë Partisë Socialiste nuk ka të bëjë aspak me çfarë është spekuluar lidhur me Damianin.
Damiani ka bërë punën e tij dhe e ka bërë mirë, përderisa edhe rezultatet kanë folur mirë për Partinë Socialiste, por unë kam besuar gjithmonë dhe besoj gjithmonë se përpara se të të vënë të tjerët në pozitën që ti të kuptosh se çfarë duhet të bësh për të qenë mbi të tjerët duhet ta bësh ti vet,” – u shpreh Rama.