Një qytetar 33-vjeçar me inicialet A.M. është arrestuar pasi u kap me pistoletë në makinë ndërsa udhëtonte, në pranga ka përfunduar edhe pasagjeri që ishte në këtë automjet, për moskallëzim të krimit.
Arma e gjetur është sekuestruar.
Pasagjeri O.C. i akuzuar për moskallëzim krimi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për armën e paligjshme.
“Si rezultat i shtimit të kontrolleve gjatë sezonit turistik, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata qarkullojnë, kontrolle këto të mbështetura nga inteligjenca policore dhe nga bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Friends”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. M., 33 vjeç dhe O. C., 33 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin që drejtonte shtetasi A. M. dhe ku ishte pasagjer shtetasi O. C., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe disa fishekë luftarak që dyshohet se i përkitnin shtetasit A. M.
Ndërkaq, shtetasi O. C. u arrestua pasi dyshohet se duke patur dijeni, nuk ka kallëzuar për posedimin e kundërligjshëm të armës së zjarrit dhe municionit luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”,-thuhet në njoftimin e policisë.