Kreu i PD Lulzim Basha njoftoi gjatë një takimi me strukturat drejtuese të qarkut Fier se më 2 shtator PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar.
Basha theksoi se Kuvendi do të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, forcimin dhe modernizimin e PD.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Basha shprehet se “Partia Demokratike mundet dhe do ta bëjë këtë, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve, në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve.
“Listat e hapura; Vetting-u në politikë; Kufizimi i mandateve; Vota e diasporës; Zgjedhja e Presidentit nga populli. Përmes këtyre propozimeve, të mbështetura gjerësisht nga qytetarët, ne mund ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin politik, duke bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë thjesht rotacion, por një ndryshim të vërtetë, ashtu siç shqiptarët presin e meritojnë”, shprehet Basha.