Të tjera detaje zbardhen nga dosja hetimore e SPAK nga operacioni ‘Metamorfoza’, ku u fundos grupi kriminal dhe u lëshuan 15 urdhër-arreste. Përgjimet që autoritetet franceze nxorrën nga aplikacioni SKY zbulojnë jo vetëm si funksiononte porosia e vrasjeve me pagesë, por edhe se shumë nga drejtuesit e policisë në Shkodër i shërbenin rregullisht bandave kriminale.
Në bisedat mes Behar Bajrit dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ka porositur disa vrasje për të ekzekutuar Ibrahim Licin, Genc Tafilin, Dorian Dulin dhe Kleant Musabelliun del se ishin angazhuar edhe shefa të policisë që përdornin edhe mjetet e shtetit për të përgjuar personat e vënë në shënjestër.
Në një bisedë të transkriptuar mes Behar Bajrovicit dhe Pëllumb Gjokës, që ndodhet në dosjen e SPAK, ata të dy flasin për ndarjen e komisariatit, në shefa që punojnë për ta dhe në shefa që punojnë për palën tjetër.
Një ndarje e tillë e policëve mes bandave është përfolur përherë, por këto përgjime janë provat e para që tregojnë nivelin e kriminalizimit në radhët e policisë shqiptare.