Një mashkull i kuruar dhe frekuentues i rregullt i qendrave estetike nuk është më tabu.
Durrësi ka bërë hapa para në këtë drejtim. Në qendrat estetike, ku ofrohet shërbim për meshkujt numri i tyre është thuajse i barabartë me femrat.
Sipërmarrësja Afërdita Mehmeti deklaroi për Euronews Albania: “Në fillimet e mia isha shumë skeptike në këtë pjesë. Kisha frikë të punoja dhe me meshkuj dhe me femra. Jo frikë në sensin se hyn një mashkull në qendër, por a do pritej mirë kjo. Tashmë pas 6 vitesh kjo ka evoluar shumë dhe meshkujt, ashtu si dhe femrat, mundohen të kujdesen për veten e tyre”.
Në shumicën e rasteve janë partneret ato që orientojnë djemtë në qendrat estetike. Gama e shërbimeve është e gjerë, por cilat zgjedhin ato?
“Meshkujt e duan dhe trajtimin e këmbëve, të fytyrës, të trupit. Duan të dobësohen kur shohin se janë pak të shëndetshëm, bëjnë depilime, ashtu si dhe femrat. Normalisht numri është pak më i vogël, por të paktën kemi shkuar në atë pikë që ka kërkesë”.
Dallimi gjinor qëndron vetëm në faktin, se meshkujt nuk janë “infektuar” ende nga mania për të kryer shumë trajtime.
Në sezonin e verës, ata janë të fokusuar me shumë tek trajtimet hidratuese, ndërsa tendenca e viteve të fundit janë dhe ndërhyrjet jo invazive.