Një 51-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë mbrëmjen e së mërkurës në vendin e quajtur Limani i Lakës në ishullin Paksi në detin Jon.
I plagosuri quhet Andrea Kalemi, i cili dyshohet se është i implikuar me vrasjen e Edmond Papës, i vrarë në muajin dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë.
51-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetën në spitalin e Janinës.
Sipas të dhënave të siguruara për Top Channel, Kalemi ka hyrë në datën 5 gusht në Greqi nga Kakavija, së bashku me gruan tre fëmijët.
Në vend ngjarje u gjetën 14 gëzhoja pistolete ndërsa vijon puna për arrestimin e autorit. Policia ka emrin dhe identitetin e tij. Bëhet fjalë për shtetas shqiptar me banim në Itali.
Debati mes dy tyre degradoi në përplasje fizike, ku autori i dyshuar nxori nga xhepi një pistoletë dhe qëlloi disa herë mbi viktimën i cili mbeti i plagosur rëndë.
Policia thotë se ngjarja mund të jetë larje hesapesh për borxhe të vjetra mes autorit dhe viktimës, ose edhe pista e hakmarrjes.
Situata pritet të sqarohet nëse bëhet i mundur arrestimi i autorit ose pas dëshmisë së të plagosurit.