Fluksi i turistëve dhe emigrantët që kthehen nga Greqia për pushime po shkaktojnë rritje të trafikut në rrugët kombëtare dhe dytësore në Qarkun e Gjirokastrës.
Në këto ditë të para të gushtit në rrugën kombëtare që të çon në doganën e Kakavijës dhe anasjelltas ka një rritje të ndjeshme të numrit të automjeteve. Gjithashtu trafik i rënduar rrugor regjistrohet edhe në brendësi të qytetit të Gjirokastrës dhe pikat e tjera turistike duke bërë që policia e Qarkullimit Rrugor të përforcojë masat kryesisht për shmangien e aksidenteve.
“Janë marrë disa masa plane operacionale dhe është shtuar numri i shërbimeve të cilët mbikëqyrin aksin nga Kakavija deri në zonën e Krahësit, Tepelenë, janë vendosur disa shërbime të lëvizshme në pikat të cilat janë njolla të zeza ose vende që kanë ndodhur disa aksidente rrugore siç janë Ura e Kardhiqit, është vendosur një shërbim në pikën turistike të Ujit të Ftohtë, i cili vazhdimisht mbikëqyr trafikun,” – u shpreh Rini Halilaj, specialist i policisë rrugore.
Policia Rrugore në Gjirokastër sensibilizon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë Kodin Rrugor për evitimin e aksidenteve dhe pasojave të tyre.
“Të respektojnë sinjalistikën rrugore, të mos e teprojnë me shpejtësinë, të ecin në normat e lejuara të sinjalistikës rrugore, të zbatojnë me përpikmëri Kodin Rrugor,” – tha Halilaj.
Gjatë ditëve të fundit në Gjirokastër janë regjistruar disa aksidente rrugore pa pasoja të rënda.