Gruri ngelet ne magazina, çmimi rritet me 5 lekë

Shqipëria

Gruri ngelet ne magazina, çmimi rritet me 5 lekë

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 17:21
Foto nga takimi

Në qoftë se deri para pak ditësh çmimi i grurit varionte nga 25-26 lekë për kg, tani ai shitet nga 28-30 lekë për kg, por sipas fermerëve edhe ky çmim nuk është ai që kërkohet prej tyre pasi shpenzimet janë më të mëdha se çmimi aktual.

Ky është Roland Hyskolli, fermer nga Liboniku i Maliqit i cili grurin e ka nxjerrë në rrugë për ta shitur, edhe pse këtë vit ai do të dalë me humbje. Fermeri shprehet se çmimi prej 30 lekësh për kilogram  i grurit nuk justifikon kostot e prodhimit .

“Unë me 30 lekë, 300 lekë të vjetra e shes dhe nuk jemi të kënaqur. Se nuk shkon malli. Ai duhet ta marrë këtë mall, unë bëra 150 kuintal grurë, humbje, nuk ka fitim. Nuk nxjerr as leket qe kam hedhur tokës. I hodha dap ure, korrje, e po e shita prapë me humbje. Nuk fitoj asgjë, heka hekës,” – u shpreh ai.

Kjo situatë është e njëjtë edhe për fermerët e tjerë të fushës së Maliqit. Një tjetër fermer ende grurin e ka të pakorrur.

“Nuk ja vlen ta korrësh, kostoja shumë e lartë, plugimi, na ndihmoi shteti diçka me naftën por u rritën çmimet e punimeve, çmimi treg s’ka dhe tani nuk te bëjnë krahët as ta korrësh asgjë. Do e lëmë ashtu nga turpi, jo nga interesi. Rendiment nuk ka. Me humbje, shumë humbje, as çerekun e lekëve që kemi hedhur nuk fitojmë dot,” – tregoi Petrit Hymeri.

Këtë vit në Qarkun e Korçës ka pasur një sipërfaqe prej 13,430 hektar të mbjellë me grurë nga 12.570 të mbjellë vitin e kaluar. Fermerët e juglindjes edhe me sipërfaqe më të shtuar për shkak te rendimentit kanë marrë sasi më të pakta sesa një vit më parë.

Përgjatë këtij vit në qarkun e Korçës është prodhuar me shume se 45.000 ton grurë ndërkohë që vetëm në fushën e Maliqit është prodhuar me shume se 16.000 ton. Burime zyrtare thonë se rreth 40.000 ton vazhdon të jetë i magazinuar, ndërsa paralajmërojnë se çmimi i grurit mund të rritet sërish.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat