Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se Fredi Beleri është zgjedhur për rikthimin e tensioneve të harruara, sipas tij, në Himarë.
I ftuar në News24, Shpëtim Idrizi komentoi protestën e paralajmëruar sot (14 gusht) në Himarë për burgosjen e Fredi Beleri, teksa u shpreh se “po i bëhet presion sistemit ligjor”.
“Jo rastësisht është zgjedhur Beleri dhe sot në Himarë vjen kryebashkiaku i Athinës e nipi i Mitsotakis në kulmin e sezonit”, tha ai, duke shtuar se shteti shqiptar të reagojë dhe se kjo është shkelje sovraniteti e dinjiteti.
Shpëtim Idrizi: “I bëjnë presion sistemit ligjor. Një sistem ligjor nuk mund ta atakosh dhe as nuk mund të komentosh vendimet e saj. Ky personazh është zgjedhur për rikthimin e tensioneve të harruara në Himarë.
Jo rastësisht është zgjedhur Beleri dhe sot në Himarë vjen kryebashkiaku i Athinës e nipi i Mitsotakis në kulmin e sezonit.
Ndërhyrja e Athinës është ndërhyrje në punët e brendshme, duket e tepruar. Beleri nuk është zgjedhur rastësisht.
Do ia shohim sherrin kësaj historie nëse shteti shqiptar nuk vepron. Duhet të pyesë në rrugë diplomatike se pse duhet të vijë kryebashkiaku i Athinës në Himarë, pse duhet të jetë pjesë e protestës. Është shkelje sovraniteti dhe dinjiteti.”