Sali Berisha ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin për garën e 24 shtatorit në Kukës. Në një deklaratë për mediat këtë të hënë, Berisha tha se po konsultohet me aleatët.
Më 24 shtator qytetarët e Kukësit do ti drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. Forcat politike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme në këtë bashki.
Këtë fillim jave, në një deklaratë nga selia blu, Sali Berisha tha se po konsultohet me aleatët për nxjerrjen e një kandidati për këtë bashki.
“Në bashkëpunim me aleatët po diskutohet dhe do vendoset, sapo të vendoset do ta komunikoj”, tha Berisha.
Pak javë më parë, Lulzim Basha u rikthye në krye të Partisë Demokratike, për këtë Berisha e ka një përgjigje.
“Lulzim Bashën e njohim si një peng të shpifur të Edi Ramës dhe asgjë më shume. Të tillë e njohin demokratët, të tillë e njeh publiku shqiptar. Nëse ju mendoni se ne pranojmë faktet e kryera nga Rama gabohet çdo njeri. Basha është një mjeran që keqpërdoret sipas rastit nga Rama – Balla dhe që ndonjëherë ja japin me qira edhe Erion Velisë.”