Një ditë më parë, Shqipëria iu përgjigj thirrjes së Greqisë, duke vënë në gatishmëri 58 efektivë, 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e mbrojtjes civile për të ndihmuar shtetin fqinj në shuarjen e zjarreve.
Lidhur me misionin e ekipit shqiptar në zonën e Aleksandropulit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka shpërndarë momente nga misioni i ekipit të zjarrfikësve shqiptare, të cilët sipas tij janë angazhuar maksimalisht në një nga zonat më të prekura nga zjarret.
“Efektivët tanë, me mision në zonat e prekura nga zjarret në Greqi, janë maksimalisht të angazhuar në operacionin e shuarjes së flakëve në zonën e Aleksandropulit, si një nga zonat më të prekura nga kjo emergjencë e madhe që ka goditur fqinjët këtë sezon të nxehtë”, shkruan Rama.
Aleksandropoli është një nga zonat e Greqisë, e cila po përballet me situatën e vështirë të krijuar nga vatrat aktive. Së bashku më grupet që kanë udhëtuar drejt Aleksandropolit në Greqi është edhe gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi.
Ai raportoi nga ajo zonë duke konfirmuar se situata ka shkuar drejt normalizimit.