olicia Rrugore Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Tiranë, kanë nisur një fushatë sensibilizuese sa i takon lëvizjes me patina elektrike, një trend gjithnjë e në rritje nga qytetarët.
Përveç komunikimit me qytetarët, efektivët po shpërndajnë fletëpalosje ku janë renditur të gjithë këshillat për të lëvizur në mënyrë të sigurt dhe duke respektuar rregullat e qarkullimit.
Përmes njoftimit në faqen zyrtare në Facebook, Policia e Shtetit ka apeluar për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
“Lëviz i sigurt në rrugët e kryeqytetit,” – shkruhet në postim.
Ndërkohë, Besmir Qibini, shef i Qarkullimit Rrugor Tiranë deklaroi më herët në Euronews Albania se ka një reagim të qytetarëve që përdorin patinat elektrike për të lëvizur.
“Kryesisht përdoruesit e patinave elektrike kanë njohuri, është një pjesë intelektuale, kanë mirëkuptim. Në kontaktet që kemi pasur me ta, ne i përkrahim sepse realisht ata e shmangin trafikun, shmangin pjesën e ndotjes, por mënyra dhe respektimi i sinjalistikës horizontale dhe vertikale duhet respektuar sepse bëhet shkak për pasoja fatale, pra aksidente,” – u shpreh Qibini.