Përveç hetimit penal, SPAK-u ka nisur edhe një hetim pasuror për personat e arrestuar gjatë operacionit ‘Metamorfoza’. Deri në këtë fazë grupi hetimor po kërkon identifikimin e të gjitha pasurive që rezultojnë në emër të personave të përfshirë në këtë dosje apo edhe familjarëve të tyre, raporton gazetari Ermal Vija.
Një sërë shkresash i janë dërguar bankave të nivelit të dytë për të bërë të mundur identifikimin e pasurive që rezultojnë në emër të të përfshirëve. Nëse këto pasuri nuk justifikohen me burimin e të ardhurave, Prokuroria e Posaçme pritet të procedojë me vënien e tyre nën sekuestro dhe kërkim në gjykatë që të konfiskohen.
Kujtojmë që operacioni ‘Metamorfoza’ me 6 të arrestuar u zhvillua një muaj më parë pas indicieve të ardhura autoritetet franceze, ku në rrjetin SKY apo Encrochat, këta persona organizonin dhe diskutonin veprat kriminale. Një ditë më parë, gjykata e Apelit të Posaçëm shtyu për më 31 Gusht vendimin për 6 të arrestuarit.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales, Oltion Bistri, ish-efektivi Adrit Hasanbegaj, Asmer Bilali, Edmond Preka, kërkuan masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit me burg.