Zgjedhjet e maturantëve/ Më shumë kërkohen programet e teknologjisë dhe ndërtimit

Shqipëria

Zgjedhjet e maturantëve/ Më shumë kërkohen programet e teknologjisë dhe ndërtimit

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 19:56
Studentët

Maturantët janë çdo vit edhe më të qartë mbi zgjedhjet që bëjnë për regjistrimin në universitet, duke vendosur në peshore pasionin dhe punësimin e sigurt, duket se po fiton ky i fundit.

Këshilluesit e karrierës tregojnë se edhe këtë vit interesi është në rritje për programet e teknologjisë dhe ndërtimit.

“Ka shumë faktorë që ndikojnë sepse menjëherë pas studimeve madje edhe gjatë i thith tregu i punës. Tërmeti, procesi i rindërtimit, shtimi i pallateve, qytetet në zhvillim e sipër ka bërë që të rritet kërkesa për arkitekturë e design urban. Gjithashtu edhe shkencat kompjuterike janë në hov, pasi ditët e sotme pjesën më të madhe të shërbimeve i marrim nga sistemet elektronike dhe kërkesa për specialist në këtë fushë është e madhe”.- shprehet Anisa Sfarati, specialiste për këshillimin e karrierës.

Por vëmendja karshi disa programeve, ka ulur numrin e regjistrimeve në degë tradicionale, si ato të Universitetit Bujqësor apo të shkencave sociale. Mirëpo ekspertët këmbëngulin se jo të gjithë janë të prirur për tu pajisur me diplomë, e ata duhet ti drejtohen shkollave apo kurseve profesionale.

Për pedagogun Gent Hyka, mjedisi është një nga programet me potencial për punësim në të ardhmen; por që nënvlerësohet nga të rinjtë.

“Duke marr parasysh se për integrimin europian Shqipërisë i kërkohet në kapitullin 27 që deri në 2030 të ketë 3000 ekspertë mjedisor, tregu është vërtet i uritur e kërkon, por maturantët ngurrojnë nuk e shohin si një profesion krahasuar me mjekësinë apo inxhinieritë”.-shprehet Gent Hyka.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka ndërmarr nismën e programeve me prioritet kombëtar që nëse zgjidhen nga maturantët përjashtohen nga tarifat dhe marrin bursë sa paga minimale, por ekspertët e punësimit këshillojnë që kjo iniciativë duhet të shoqërohet me një studim tregu dhe referim të vendeve të punës gati për të diplomuarit. Regjistrimi i studentëve në raundin e parë nisi këtë të martë e përfundon në 11 shtator,  teksa më të mirët po zënë vendet të parët, ka një mundësi të dytë aplikimesh nga 15 deri në 17 shtator.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat