Zjarrfikësit dhe FA kthehen në atdhe, ndihmuan Greqinë për shuarjen e zjarreve

Shqipëria

Zjarrfikësit dhe FA kthehen në atdhe, ndihmuan Greqinë për shuarjen e zjarreve

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Forcat e armatosura të Shqipërisë si dhe shërbimet zjarrfikëse të Korçës dhe Maliqit pas 15 ditësh përfunduan misionin e tyre të parë në operacionin e shuarjes së zjarreve në Greqi.

Mbrëmjen e së mërkurës, të gjitha trupat shqiptare që ishin pjesë e këtij operacioni kanë lënë shtetin fqinj për t’u future në tokën shqiptare nga pika kufitare e Kapshticës.

Për trupat shqiptare, i gjithë operacioni, përpos vështirësive, ishte një eksperiencë që do tu shërbej edhe në të ardhmen.

“Operacioni shkoi shumë mirë, pati vështirësitë e veta si operacion por në përgjithësi shkoi shumë mirë, ishte eksperiencë e mire për ne. Të gjithë ndërhyrjet në zjarre janë të vështira, por terreni ishte me pyllësi të lartë, zjarr shumë i madh. Situata ku ne vepruam nuk ka asnjë rreziku ndaj zjarreve tani, dje kemi qenë në vëzhgim e tani situata është e normalizuar,” – u shpreh drejtuesi i operacionit, Leonard Qyra.

Edhe për komandantin e Forcave të Armatosura Arjan Gjyla, operacioni është kryer me sukses.

“Misionin e shoh me shume sukses, la përshtypjet më të mira për popullin grek nga ana e ndihmës tonë në zonën e Dadias. Situata ka qenë tepër kritike dhe shumë serioze për jetën e popullit dhe banesat e zonës,” – deklaroi ai.

Flamur Besholli prej 30 vitesh është pjesë e shërbimit zjarrfikës në Korçë dhe ky është misioni i parë i tij jashtë kufijve të vendit tonë.

“Jam zjarrfikës nga Korça, 30 vite zjarrfikës, ky ishte një mision shumë i mirë për ne, i vështirë, rrezikuam, kemi pasur mbështetje nga drejtuesit,” – tregoi Besholli.

Pjesë e këtij operacioni ka qenë 48 forca nga vendi ynë si dhe 10 mjete të shërbimit zjarrfikës dhe logjistikës.

Gjatë 15 ditëve të këtij operacioni stafi mjekësor, pjesë e trupave shqiptare ka kryer disa ndërhyrje mjekësore për banorë të zonës si dhe emigrantë të cilët kalonin nga Turqia drejt Greqisë, po ashtu ata ndihmuan dhe evakuuan disa emigrantë që ishin bllokuar në zona malore ku zjarri ishte prezent.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat