Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ndalimi i kryerjes së betimit nga ana e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri është e paligjshme.
Berisha mori shembullin e Nanos, duke kujtuar se kur ai ishte në pushtet, i lejonte deputetët që të dilnin nga burgu dhe të betoheshin.
“Fred Beleri qëndron në burg, nuk lejohet që të bëjë betimin, në kundërshtim me precedentin dhe ligjin. Ligji dhe precedentin detyron drejtorin e burgut, me roje ta nxjerrë nga qelia, ta çojë dhe të bëjë betimin dhe më pas ta kthejë në qeli. Është i paligjshme. Kjo ka ndodhur me deputetë tanë, kur në pushtet ishte Nano, që respektonte ligjin dhe kushtetutën. Ka ndodhur me Sami Lushtakën, që shkoi nga burgu, i shoqëruar nga EULEX, dhe më pas u kthye në qeli. Kemi të bëjmë me mohimin e prezumimit të pafajësisë.
Ke dokumente që Beleri ka blerë vota? Jo! Ai mbahet në burg mbi bazën e hetimit të Ardi Veliut, të tipit të Sigurimit. Ai po hante pilaf bashkë me bashkëpunëtorët e tij se ishte në fushatë, jo se po shpërndante euro. Unë me dosjet false nuk jam dakord.”, tha ai.