Avokati: Gruaja e Bengasit ka kërkuar të pushojë çështja, Dumani është mashtrues

Shqipëria

Avokati: Gruaja e Bengasit ka kërkuar të pushojë çështja, Dumani është mashtrues

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 14:34
Elton Hyseni dhe gruaja e Bengasit

Gjykata ka lënë në burg avokatin e njohur Alban Bengasi. Avokati i tij, Elton Hyseni deklaroi se pas 16 muajsh hetim, prokuroria nuk ka sjellë as sot e kësaj dite, minimumin e provave që të vërtetojë pretendimet fillestare.

Ai shtoi se edhe vetë ish-bashkëshortja e Bengasit, Blerta Ruçi ka kërkuar përmes një deklarate noteriale që të pushohen hetimet pranë SPAK-ut, pasi siç thotë ajo ish-burri i saj nuk ka asnjë lidhje me akuzat e Dumanit. Ky i fundit thotë se avokati i njohur i ka ofruar 120 mijë euro për t’i vrarë gruan pasi dyshonte se e tradhtonte me shokun e ngushtë.

“Prokuroria ka ngelur në deklarimet e rreme të Nuredim Dumanit, i cili është një person që akuzohet për shumë vrasje dhe kurrsesi nuk duhet të merret parasysh dëshmia e një personi të dënuar më parë i cili akoma akuzohet për një sërë vrasjesh,” – u shpreh Hyseni.

“Albani është kujdestar i fëmijëve të tij ku një është i mitur, kjo me vendim gjykate. Sot gjykata se mori parasysh këtë fakt. U paraqitën edhe një sërë rrethanash familjare e sociale që e bëjnë të pamundur mbajtjen e tij në burg,” – shtoi avokati.

Ai tha gjithashtu se kanë depozituar një dosje të madhe gjatë hetimeve në SPAK ku vërtetohet se Bengasi nuk ka konsumuar asnjë vepër penale, madje është një personalitet të cilit nuk i përshtatet masa e arrestit me burg.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat