Polici, pjesë e sherrit në Bllok, reagon Balla: Vetëpastrimit të Policisë së Shtetit do t’i shkohet deri në fund

Shqipëria

Polici, pjesë e sherrit në Bllok, reagon Balla: Vetëpastrimit të Policisë së Shtetit do t’i shkohet deri në fund

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 12:59
Taulant Balla

Vetëpastrimit të Policisë së Shtetit do t’i shkohet deri në fund dhe asnjë rast i shkeljes së ligjit dhe normave etike nuk do të tolerohet.

Kështu u shpreh sot ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një reagim në rrjetet sociale nisur nga rasti i një punonjësi policie të përfshirë në një konflikt fizik mes palëve.

“Rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit është përpjekja ime kryesore si Ministër i Brendshëm dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, me angazhimin për tu ofruar qytetarëve nivelin e duhur të sjelljes, profesionalizmit dhe shërbimit të sigurisë publike”, u shpreh Balla.

“Duhet gjithashtu të jetë e qartë se kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero”, tha ai.

Por, vijoi ministri i Brendshëm, “në rast se një punonjës i Policisë së Shtetit, siç jam informuar sot duke u gdhirë në Tiranë, bëhet palë në një konflikt fizik, ndërsa do të duhej të ndërhynte menjëherë në vendosjen e rregullit, atëherë ky individ nuk mund të qëndrojë më për asnjë çast në Policinë e Shtetit”.

“Ndërkohë AMP dhe Prokuroria të vazhdojnë verifikimet dhe hetimet e tyre ligjore”, tha Balla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat