Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Emri Vata ka njoftuar se të hënën do të çel zyrtarisht fushatën e tij elektorale për garën e Bashkisë së Kukësit, ku mes të pranishmëve do të jetë edhe kreu i Rithemelimit, Sali Berisha.
Gara për Bashkinë e Kukësit do zhvillohet mes kandidatit Albert Halilaj i PS-së dhe Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Disa ditë më parë KQZ aprovoi regjistrimin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ me Partinë e Lirisë kryesuar nga Ilir Meta dhe Partinë Demokristiane të Nard Ndokës.
Kujtojmë se në 27 gusht janë mbajtur “Primaret” për zgjedhjen e kandidatit që do të garojë në zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit nga radhët e “Rithemelimit”.
Sakaq, dhe pse u regjistrua si subjekt zgjedhor Partia Demokratike nuk paraqiti asnjë kandidat për kryetar bashkie brenda afatit të përcaktuar në kodin zgjedhor.
Në deklaratën e PD Dega Kukës, theksohet se ky veprim erdhi nga përpjekja e tyre për të mos ndikuar edhe më tepër në përçarjen e opozitës.
Zgjedhjet do të mbahen në 24 shtator, të cilat vijnë pas video-skandalit seksual të ish-kryebashkiakut socialist Safet Gjicit, i cili dha dorëheqjen dhe aktualisht ndodhet në burg për ‘Shpërdorim Detyre’.