Ndërsa Kuvendi do të mbajë këtë të hënë seancë parlamentare për miratimin e dekretit për ndryshimet në qeveri, Kreu i grupit të PD, Gazmend Bardhi me anë të një letre drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla kërkon debat në seancë.
Përmes një letre drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Bardhi kërkon që deputetët të diskutojnë dhe të kenë në dispozicion nga 10 minuta për të diskutuar mbi shkarkimet dhe emërimet e reja në qeveri. Po ashtu ai kërkon mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Seanca e Kuvendit është parashikuar që të nisë në orën 14:00, ndërsa ministrat e rinj pasi të dekretohen, do të betohen te presidenti Bajram Begaj.
Në rastet kur kemi pasur votime të dekreteve të ministrave, ka pasur vetëm votime dhe jo debate.
Ndaj mbetet për t’u parë nëse maxhoranca do të vazhdojë më këtë traditë, nëse do të kemi vetëm votim, apo dhe debate.