Kush e kontrollon Edi Ramën?

Shqipëria

Kush e kontrollon Edi Ramën?

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 16:09
Edi Rama

Disa grupe të rëndësishme në PS, thuajse e kishin të fjetur mendjen se Edi Rama nuk do ta konfirmonte Belinda Ballukun. Kishte zëra që thonin që ajo nuk do të jetë më as kreu politik i qarkut Dibër; disa të tjerë, që thonin se Rama do ta ndajë superministrinë e Belindës, duke ja dhënë gjysmën ish-drejtorit të OSHE-së, e të tjerë që thonin që zv.kryeministër do të emërohej Pandeli Majko.

Por në realitet, Belinda Ballukut nuk i lëvizi as një qime floku. Ajo vazhdon të jetë Zv.kryeministre me pushtet më të fortë se parardhësit e saj, superministre e Energjisë dhe Transporteve, ndërkojë që vijon edhe shefe politike në Dibër.

Por nuk është vetëm kaq, pasi Balluku fitoi duelin e Ardian Çelën dhe ka vendosur njeriun e saj në OSHE; gjithashtu, pas largimit ka mbajtur fort kontrollin e Albcontrol që është një nga drejtoritë më të rëndësishme të administratës, komandon Albpetrolin- superndërmarrjen shtetërore të naftës; ka lidhje vertikale në ARRSH sa hoqi çdo drejtor që nuk i përshtatej, por nga ana tjetër kontrollon rreptësisht tatimet, doganat me Gazhelin, si dhe ente të tjera.

Me fjalë të tjera, zv.kryeministrja Balluku është realisht njeriu më i fuqishëm i qeverisë. E ku Edi Rama, nuk ka mundësi për të vendosur apo sugjeruar asgjë pa iu referuar asaj. Çifligu politik i Belinda Ballukut është i plotë, dhe këtë po e tregon fuqishëm çdo ditë.

Madje, shumë shpejt pritet që influenca politike e Ballukut të kalojë edhe qarkun Dibër, për të kompensuar largimin nga Tirana, e kështu të kthehet në lobin e Partisë Socialiste më të fuqishëm, e më influent.

Gjasat janë që së shpejti edhe Durrësi e Kruja, pra i gjithë qarku të kenë kontrollin e plotë, pasi aktualisht Belinda e ka e ka thyer lobimin e Dakos dhe Çelës.

Ndaj dhe ndryshimet në qeveri, për t’i dhënë më shumë hapësirë klanit të Lali Erit, mund të analizohen më shumë, si një manovër e kryeministrit që të vendosë përballë dy grupimet që tashmë janë më të fuqishmet e mazhorancës.

Kurse “shtriga” siç i pëlqen ta thërrasë Rama edhe publikisht, ka arritur të ndalojë çdo veprim kundër saj nga klanet e tjera, që prej kohësh i fryjnë në vesh Kryeministrit. Madje, ndikoi që të rrëzojë edhe ministren e Financave, të cilën e shikonte si një mundësi dublimi të saj.

Me një lëvizje shumë të fortë, Balluku e asgjesoi Delina Ibrahimin, që u dërgua si shefe politike në njësinë 5 në Tiranë, me logjikën e një fuqizimi si deputete. Ku mjaft u fol se Edi Rama do ta çojë edhe në Dibër, meqë Ibrahimi është e lindur dhe e rritur në atë qark.

Pikërisht pas kësaj, Balluku aktivizoi lidhjet e saj në media, duke përfshirë Baton Haxhiun për ta goditur egër, derisa më në fund e shkarkoi dhe e ka kthyer një lloj ‘edonabilali’ në fuqi më të vogël.

E gjithë kjo fuqi potenciale e Belës nuk duket se është thjesht një vullnet i Edi Ramës, siç ndodh me Manastirliun që e lëviz sa nga Shëndetësia te Arsimi. Madje mbajtja e Ogertës dhe dërgimi i ish-nëpunëses së Bashkisë si ministre Shëndetësie është për të dobësuar Ballukun, e cila sot është një pushtet, të cilin Edi Rama, nuk e menaxhon dot. Madje klanet dhe lobet e Ballukut kontrollojnë në shumë aspekte edhe vetë Edi Ramën.

Shpesh pushteti i motrës së Ballukut në organet e vettingut, është konsideruar nga opozita, si një fuqi dhe influencë më direkte e super zvkryeminisres në organet e drejtësisë. Të cilat janë të vetmet që e mbulojnë me djersë të ftohta Ramën, siç e pamë në Asamblenë e fundit të PS-së. Ku babloku ndryshoi agjendën dhe mbajti Belën, duke mos i prekur asnjë fije floku. Tani pritet që Balluku të bëjë qilizëm politik, duke nisur nga qarku Dibër, ku siç flitet ka vendosur që të mos kandidojë dy deputetët aktuale të PS-së, për t’i zëvendësuar me prurjet e reja të saj. Pamfleti

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat