Një 37-vjeçare është proceduar penalisht pasi shfrytëzonte fëmijët e saj të mitur për të lypur.
Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasen N. R., 37 vjeçe, për veprat penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Kanosja”.
Kjo shtetase është konstatuar në rrugën “Dritan Hoxha”, së bashku me 4 fëmijët e saj të mitur, të cilët i kishte nxjerrë për të lypur. Gjithashtu, 37-vjeçarja, ka kanosur me fjalë, punonjësen sociale.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë fton qytetarët që nëse do të konstatojnë raste të fëmijëve në situatë rruge, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Gjithashtu apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për këtë aktivitet, pasi do të përballen me ligjin.