Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan.
Rama informoi se gjatë takimit u diskutua për finalizimin e paketës së investimeve në Shqipëri, si edhe për vizitën në Tiranë të Presidentit të EBA, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, e para e këtij niveli, raporton atsh.
Rama ndodhet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Delegacioni shqiptar në OKB kryesohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe pjesë e tij janë kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Shqipëria për herë të parë në historinë e anëtarësimit të saj në OKB mban që prej janarit të vitit 2022 vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, mandati dyvjeçar i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti.