“Bastet, të kapura nga mafia”, Spaho: Shumë deputetë kanë aktivitete të lojërave të fatit, e implikuar policia

Shqipëria

“Bastet, të kapura nga mafia”, Spaho: Shumë deputetë kanë aktivitete të lojërave të fatit, e implikuar policia

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 11:06
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho

Deputeti i PD-së, Edmond Spaho me tone të ashpra denoncoi në Komisionin e Ekonomisë se lojërat e fatit janë aktivitet i kapur nga mafia.

Ai tha se shumë deputetë kanë aktivitete të lojërave të fatit, ndërsa akuzoi dhe policinë se është e implikuar.

“Më pëlqehu fjala juaj zoti kryetar (ironizon Shalsin), por po luajmë një teatër të madh këtu. I vetmi element që lidh gjendjen këtu në Shqipëri me jashtë, është se edhe andej organizohen lojëra fati. Këdo të marrësh shembull, por andej ka shtet dhe shteti i kontrollon. Edhe andej ka rrjedhje, por këtu nuk i kontrollon, se është palo shtet. Nuk po diskutoj ‘koha juaj, koha jonë’. Ju i mbyllët dhe nuk jeni në gjendje që t’i kontrolloni. Po pranoni se keni falimentuar me kontrollin e lojërave të fatit. Ju mburreni dhe e thoni vetë atë të Enverit. Ai i linte 200 veta atje të luanin, se e dini vetë se si i bënte. Ligj kishim dhe para 2018-ës, nuk ka qenë aktivitet pa ligj.

Duke pasur ligj arritëm në konkluzionin se duhen mbyllur. Sporti është preteksti. Në kushtet e Shqipërisë është aktivitet kriminal. Kush thotë të kundërtën, gënjen, ose është pro mafias. Ky aktivitet është i kapur nga mafia. Politikanë shqiptarë merren me lojëra fati, një numër i konsiderueshëm i deputetëve kanë aktivitet të lojërave të fatit. Ju e dini se cili koleg ka lojëra fati. Ju duhet t’i ndaloni, por nuk ngriheni. Këtu është e bashkuar dhe policia. Me lojëra fati blihet policia, drejtorë policie. I ka nxjerrë media. Lexo se sa komisarë policie janë kapur duke u blerë nga pronarë të lojërave të fatit. Kapi ti se je në krye të qeverisë, unë ngre zërin.”, tha Spaho.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat