Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një paraqitje për media para nisjes së tryezës së dialogut të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, ku për të dytën herë Shqipëria mban Presidencën, theksoi se “duhet të kundërshtojmë atë mesazh të shtrembëruar që kërkon të justifikojë shtrembërimin dhe aneksimin. Të mbrojmë Ukrainën sot përçon mesazhin më të mirë për këdo. Do ta shfrytëzojmë këtë takim për të bërë Rusinë të rinisë nismën për marrëveshjen e grurit në Detin e Zi, që po thellon urinë në botë”.
Rama tha se “pas pak minutash Këshilli i Sigurimit do të mbajë debatin e parë të hapur të nivelit të lartë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes respektimit të qëllimeve dhe parimeve të kartës së Kombeve të Bashkuara në kontestin e luftës në Ukrainë. Një luftë e paprovokuar, e padrejtë, e pajustifikuar me zgjedhje ka sjellë një konflikt vdekjeprurës e kohëgjatë në zemër të Europës. Ai nuk ka sjellë asgjë të mirë përveçse vdekjes, shkatërrimit dhe mjerimit, për Ukrainën, popullin e saj, por jo vetëm për ta.
“Siç jeni të gjithë të vetëdijshëm efektet e dëmshme të luftës nuk kufizohen vetëm tek Ukraina dhe Europa, por ato vazhdojnë të përçojnë valë tronditjeje në çdo cep të botës dhe kërcënojnë sërish sigurinë e ushqimit në mbarë botën.
Kjo është arsyeja pse duhet të mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar për të sjellë në Këshillin e Sigurisë të vërtetën dhe realitetin e trishtë të këtij shkatërrimi të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm, për t’u përhapur dhe duke bërë këtë të kundërshtojmë atë mesazh të shtrembëruar që kërkon të justifikojë pushtimin dhe aneksimin”, theksoi Rama.