Lezha dje u cilësua si kryeqyteti i aksidenteve, megjithatë duket se jo të gjithë përplaset ishin ngjarje aksidentale.
Aksidenti i ndodhur në hyrje të Shëngjinit, ishte i mirëmenduar, pasi drejtuesi i automjetit, tentoi të vriste ish-bashkëshortin e motrës së tij, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës, duke i goditur disa herë, me automjet, motomjetin
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin “Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”, ku një automjet kishte përplasur një motomjet dhe drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit.
Nga hetimet e deritanishme u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. U., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ka përplasur qëllimisht, disa herë, me automjet, motomjetin me drejtues ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast.
Vijon puna intensive për kapjen e 25-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.