Ish-deputeti i PD, Aleksandër Biberaj, i ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me tensionet e krijuara së fundmi në Veri të Kosovës.
Ai u shpreh se qëndrimi i kryeministrit Rama në lidhje me rastin është i turpshëm, ndërsa shtoi se ai është bërë palë me Serbinë.
Biberaj u shpreh se presidenti serb Vuçiç, është aleat i Putinit dhe i përkëdheluri i Evropës, ndërsa tha më tej se shpallja ditë zie për terroristët e vrarë është një veprim po ashtu i turpshëm.
“Qëllimi i Serbisë është i ditur, por të turpshme janë qëllimet e kryeministrit shqiptar që bëhet palë me Serbinë. Vuçiç është aleat i Putinit dhe i përkëdheluri i Evropës. Ai donte të krijonte një Donbas në Kosovë, gjë që ka dështuar.
Ata duhen trajtuar si pushtues, por kryeministri s’mund të kërkojë konferencë ndërkombëtare. Nëse bëhet njohja e Kosovës, atëherë le të krijohet asociacioni i komunave serbe. Vuçiç i quajti qytetarë të Kosovës terroristët, por ata janë shtetas serbë. Ata janë futur edhe në një manastir, si mund të shpallet ditë zie, kur ata vrasin një polic?
Rama i mbështet ata me prononcimet e veta. Ai nuk kërkon njohjen e Kosovës, por kërkon konferencë ndërkombëtare”, tha ai ndër të tjera.