Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se tashmë kanë nisur procedurat për plotësimin e 3 vendeve vakante.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën thirrje që të kandidojnë të gjithë prokurorët që në momentin e kandidimit plotësojnë kushtet e mëposhtme:
Kanë ushtruar funksionin si prokuror për jo më pak se 10 vjet;
Nuk kanë masa disiplinore në fuqi;
Japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake;
Sigurojnë pëlqimin e anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.
Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dokumentacionin e mëposhtëm:
Një letër motivimi (jo më shumë se 3 faqe A4) ku tregojnë arritjet e tyre më të spikatura në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe arsyet e kandidimit;
Një CV të përditësuar;
Formularët e parashikuar në shtojcat B1 dhe B3 të ligjit 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të plotësuar rregullisht;
Çdo dokumentacion tjetër që kandidati vlerëson të nevojshëm për këtë kandidim.
Kopje të Vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo Kolegjit të Apelimit nëse kandidati për prokuror në Prokurorinë e Posaçme ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.