Flakët në pyllin e Darëzezës vijojnë të përhapen, favorizuar nga era e fortë. Në terren janë angazhuar me dhjetëra forca për shuarjen e zjarrit. Për të parë e ndjekur nga afër situatën, në terren ishte sot Ministri i Brendshëm Taulant Balla së bashku me Prefektin e Qarkut dhe kryetarin e bashkisë së Fierit.
Ministri Balla në fjalën e tij tha se është kërkuar të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarrit të madh me forca njerëzore të specializuara e logjistikë.
Në një prononcimin për mediat, Balla ka vlerësuar situatën si tepër problematike. Ministri është ndalur edhe njëherë tek zjarrvënia, duke e konsideruar vepër të rëndë penale. Ai kërkoi dënime të ashpra për zjarrvënësit.
Ministri i Brendshëm theksoi se do të ketë vëmendje të shtuar për masivet pyjore, veçanërisht në zona të mbrojtura.
“Në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve në mënyrë që në raste zjarri, situata të menaxhohet lehtë. Ky është një masiv pyjor me vlerë të veçantë, e fatmirësisht pylli me pisha është i rigjenerueshëm”, deklaroi Balla.