Zbërthimi i planeve të Laert Haxhiut, merret në mbrojtje një tjetër prokurore

Shqipëria

Zbërthimi i planeve të Laert Haxhiut, merret në mbrojtje një tjetër prokurore

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 11:20
Doloreza Musabelliu dhe Laert Haxhiu

Pas prokurores së SPAK Doloreza Musabelliu, KLP ka caktuar urdhër-mbrojtjeje edhe për ish-prokuroren e Lushnjës Merita Selimi, që  dyshohet se ishte shënjestra e grupit të Laert Haxhiut.

Ka qenë i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, pjesë e bandës së vrasësve me pagesë të Laert Haxhiut, ai i cili ka rrëfyer planet e grupit për eliminimin e 2 prokurorëve dhe një avokati.

Selimi është prokurorja e cila hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për përfshirjen në masakrën e vitit 2017 në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, dhe u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli moskompetencën duke e çuar dosjen në SPAK, ku dy miqtë e ngushtë të Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili u dënuan me burgim të përjetshëm.

Prokurorja e Lushnjës në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Prokurorja e SPAK që kishte dosjen, Doloreza Musabelli, është marrë gjithashtu në mbrojtje për shkak të planit të Laert Haxhiut për ta eliminuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat