“Magjistratë, punoni të qetë dhe luftoni krimin”/ Përfundon mbledhja e KLP, zbardhen diskutimet

Shqipëria

“Magjistratë, punoni të qetë dhe luftoni krimin”/ Përfundon mbledhja e KLP, zbardhen diskutimet

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 12:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Ka përfunduar pas rreth një ore e gjysmë mbledhja me dyer të mbyllura mbledhja e Kreut të Lartë të Prokurorisë me kreun e SPAK Altin Dumanin,  drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Gardës dhe ministrin Balla.

Takimi, një ditë pasi prokurorja Doloresa Musabelliu u mor familjarisht nën ruajtje nga policia, në fokus kishte rishikimin e masave të sigurisë së magjistratëve.

Në përfundim të takimit, Balla tha se do të shtohen masat dhe se  ministria e Brendshme, policia dhe garda janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e çdo gjyqtari e prokurori, bashkë me familjen e tyre.

“Jemi takuar sot, nuk është takimi i parë, jemi takuar me kreun e KLP një muaj më parë  pikërisht për këtë çështje e kemi bërë dhe publik faktin që kemi diskutuar për sigurinë e prokurorëve. Dua që t’i garantoj çdo prokuror e gjyqtar në Republikën e Shqipërisë se Ministria e Brendshme policia dhe Garda janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo gjyqtari prokurori dhe të familjes së tyre. Nuk ndaj me ju të njëjtin vlerësim që ka mungesë kuadri ligjor. Qentë që lehin nuk të hanë dhe falë punë së prokurorisë dhe policisë, kemi arritur të thyem kasafortat e sekreteve të një bande kriminale dhe në ditët në vijim presim të thyejmë të tjera. Për mua sot ka rëndësi që i kam njohur drejtuesit mbi një qasje të re do të jemi përsëri këtu. E vërteta është se kur bëhet fjalë për SPAK do të ketë një vëmendje të shtuar se ligji ia ka dhënë këtë vëmendje dhe të jeni të sigurt që policia qoftë garda e Republikës, do të rrisin masat e sigurisë për të garantuar që këto institucione të bëjnë punën e tyre. Kjo reformë e drejtësi do të shkaktojë dhimbje, te krimi i organizuar dhe sikurse ka ndodhur na duhet të mësojmë nga gabimet për ti parandaluar. Në mbledhjen e radhës kemi rënë dakord që do të ftojmë edhe drejtuesen e SHISH dhe në komisionin që vlerëson nevojat për sigurinë e prokurorëve apo gjyqtarëve nuk do jetë më një përfaqësues, por ministri i Brendshëm dhe drejtuesit për të vlerësuar menjëherë masat. I them çdo magjistrati punoni te qetë dhe të godasim krimin”-tha Balla pas përfundimit të takimit.

Një ditë më parë, gazetarja Anila Hoxha paralajmëroi se Ministria e Brendshme po rishikon strategjinë e ruajtjes së prokurorëve. Për shkak të parashikimeve ligjore mbrojtja kërkohet për prokurorët e zakonshëm në KLP nga vetë prokurori , kreu i policisë apo kreu i prokurorisë. Ndërsa për prokurorinë e SPAK kërkohet në polici direkt nga vetë prokurori, drejtori i përgjithshëm dhe kreu i SPAK.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat