Editori i “Pamfletit” Gjergj Zefi ka reaguar për sulmin kriminal që i ndodhi sot.
Persona të maskuar dhe me sjellje prej burracaku, i bënë pritë me makinë pasi doli nga zyra, duke e sulmuar me sende të forta.
Gazetari Zefi në një reagim shkruan se askush nuk e ndalon dot betejën e tij më të vërtetën.
Sipas tij, çdo sulm e motivon akoma më shumë në këtë mision. Zefi shkruan se cubat e fshehur pas makinave me xhama të zinj nuk e frikësojnë dot.
“Gjithkush mendon se mund të më mposhtë në luftën time për të vërtetën: Gabon!
Kurrë dhe për asnjë arsye nuk tërhiqem...
Çdo sulm ndaj meje, më motivon më shumë në rrugën për të vërtetën në këtë vend...
U përpoqët me presione dhe nuk ja arritët; u përpoqët me gjyqe, nuk ja arritët; u përpoqët të më denigroni dhe të më tërhiqni në prehrin e tallavasë, prapë nuk arritët; më sulmoni si cubat të fshehur pas makinave; nuk do ja arrini kurrë dhe për asnjë arsye...
Nuk kam as frikë e as droje; cubat godasin pas shpine, trimat dalin përballë...
Jam shumë më i fortë se ju mendoni...
Falënderoj të gjithë miqtë që u interesuan për shëndetin tim...
Jam mirë dhe më i fortë se kurrë!”, shkruan Zefi.
Persona që e urrejnë fjalën e lirë dhe që nuk e kapërdijnë dot realitetin që shkruan portali, me një akt prej burracakësh, sulmuan pas shpine gazetarin Zefi, pasi ai po dilte nga zyrat e portalit.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe falë hetimeve të saj u arrit të identifikohet se Zefit ju bë pritë nga një automjet me xhama të zinj që rezulton në pronësi të një personi i identifikuar si Renato Bodurri, nga Elbasani, i dyshuar me të shkuar kriminale.
Autorët edhe pse të maskuar, kanë lënë gjurmë, që nga targat, gjurmë gishtat dhe gjatë largimit. Bëhet fjalë për 3-4 persona.