LIVE: Miratohet rezoluta për Kosovën, tensionohet situata – deputetët bllokojnë foltoren, ndërhyn Garda

Shqipëria

LIVE: Miratohet rezoluta për Kosovën, tensionohet situata – deputetët bllokojnë foltoren, ndërhyn Garda

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 11:38 më 12.10.2023
Kuvendi i Shqipërisë

“Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Haradinaj”, Rama flet për raportet me Kurtin

Kryeministri Edi Rama në Kuvend ka folur për raportet me kryeministrtin e Kosovës, Albin Kurtin

Rama: Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Haradinaj me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin nuk kam patur kurrë asnjë problem personal, madje e kam kënaqësi të bisedoj me të, por me kryeministrin aktual kam divergjenca botëkuptimore, se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar.

Gjithashtu fakti se me Ramushin kemi pasur krisje, nuk ka si më pnegon të shpreh neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë përmes tastierave të luftës civile dixhitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës serbe.

E dini si është puna, Ramush Haradinaj sic do komandant tjetër që ka parë gjakun e vërtetë në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë, dhe si cdo luftëtarë që ka fituar luftën me armë të vërteta, nuk ka si ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në prani edhe të mediave, se mund të ishte në ambjent privat dhe prap të sulmohej me këto mjete mizerabël kineze të kohës të Maoce dunit duke u future në rreth si tradhtar i kombit.

“Kemi një amanet”/ Rama i përvishet opozitës për Kosovën: Përdorët vrasjen e policit në Banjskë për qëllime elektorale

Kryeministri Edi Rama në interpelancën e mbajtur në seancën e posaçme për miratimin e rezolutës së Kosovës, ka ashpërsuar tonet ndaj opozitës dhe një sërë personalitetesh në Kosovë, të cilët kritikuan qëndrimin e qeverisë shqiptare për ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas Ramës, është shumë e ulët të përdoret vrasja e një polici për qëllime elektorale dhe për shpifje të kësaj natyre.

“Deri dje Shqipëria ishte një faktor pasiv i ndryshimit dhe stabilitetit, ndërsa sot është më aktive. Ne nuk e bëjmë këtë për t’u dukur mirë para faktorit ndërkombëtar, po për veten tonë në radhë të parë, për Shqipërinë dhe për të gjithë kombin shqiptar.

Kjo shihet gjithnjë e më me respekt nga bashkësia ndërkombëtare.

Ka një fill të art amaneti ndërkombëtar që na kërkon të bëhemi përfundimisht perëndimorët e Ballkanit jo më ballkanasit e radhës. Ky është amaneti i lënë që nga Skënderbeu dhe më pas Ismail Qemali. Interesi ynë strategjik i një paqeje, përfundimtare ne funksion të sigurisë, prosperitetit ekonomik dhe social është në përputhje të plotë qoftë në interesin tonë kombëtar qoftë strategjik.

Ku Shqipëria ka nderin të bëjë pjesë në bashkësinë ndërkombëtare dhe se ka luksin të luaj me dy porta. Qasja jonë kërkon ndërtimin e urave, mes tyre edhe me Serbinë.

Ku është saktësisht problemi për reagimin e Shqipërisë për ngjarjen e Banjskës sesa gojët e liga që kanë këtu dhe 10 vjet e ca që hedhin baltë mbi mua dhe Partinë Socialiste.

Ja pse në Prishtinë dhe Tiranë u ngjit kinse patriotizmi i radhës nga profile publike apo mediatike, portale menjëherë kundër meje personalisht si vëllai i Vuçiçit. Kur i doli rrufeshëm aktakuza e tradhtisë sime në një prej trushplarjeve më të mëdha propagandistike. Ishte shumë e dhimshme të shikoje në të dy anët e kufirit keqshfrytëzimin e rastit të policit të vrarë për qëllime elektorale. Me ushqimin e ndjenjave armiqësore për mua, por duke harruar efektet përçarëve të këtyre marifeteve politike të etur për sherr. Për të ardhur keq, keqpërdoruresit të cilët fryjnë njerëzit në armiqësi.’- tha Rama.

“Vëllai i Vuçiqit”, “tradhtar” – Rama i adreson akuzat nga të dy anët e kufirit

Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me akuzat për tradhti dhe rreshtim me presidentin serb Aleksandër Vuciq, duke i quajtur shpifje e teori konspiracioni.

“Ja pse në Prishtinë dhe në Tiranë nga profile publike, politike apo mediatike, ose nga profile falso pa hesap, përmes rrjeteve sociale, portaleve, kanaleve televizive, u nxit menjëherë pas ngjarjes së Banjskës furia kinse patriotike e radhës kundër meje personalisht si vëllai i Vuciqit, apo si i kapuri i Vuciqit”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

“Ridoli rrufeshëm aktakuza e tradhtisë sime në një prej shfaqjeve për mua më mbresëlënëse të trushpëlarjes propagandisitke. Ishte e dhimbshme. Shumë e dhimbshme të shikoje në dy anët e kufirit daljen ashiqare në pah të synimit të ulët të keqshfrytëzimit të jetës së humbur të policit të vrarë për të rritur mbështetjen elekotrale duke lëshuar rrugëve gjuhët më të përdala të mexhelisit publik, mexhelisit të madh publik të shqiptarëve bashkë me trollsat dhe mexhelisit dixhital që të rentabilizojë sa më shumë politikisht revoltat legjitime të shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për vrasjen e efektivit të policisë në ushqimin e ndjenjave armiqësore ndaj personit tim, gati-gati si të isha bashkë-organizator në atë vrasje”.

“Por më e keqja duke harruar apo saktë duke mos e çarë kokën fare për efektet përçarëse në bashkësinë shqiptare të këtyre marifeteve politike të radhës”.

Rama: Gabimet e Prishtinës po i bëjnë jo të lehta përpjekjet tona

Kryeministri Edi Rama ka thënë që moslinjëzimi me Bashkimin Evropian në rastin e Banjskës në Kosovë nuk ishte i lehtë marrë parasysh që Shipëria po shkon drejt anëtarësimit në BE, mirëpo tha se është akt politik dhe manifestim pakënaqësie.

“Ngjarja kriminale ishte pasuar nga një akt i papranueshëm zyrtar: Shpallje zije në Beograd. Prandaj, ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë që ishte krejt normale, nëse agresioni kriminal i Banjskës nuk do të kishte ndodhur, prisnim një deklaratë të dytë të BE-së ku të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

“Na shpjeguan se procedurat e BE-së nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë. Sipas nesh, e domosdoshme paralelisht në të njëjtën kohë me të parën. Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të moslinjëzimit me deklaratën e parë. Për herë të parë në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë ata që  duan ta dëgjojnë se një moslinjëzim me një politikë të jashtme të BE-së nuk është një fjalë goje për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhshme të nisë me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politikën e jashtme”.

“Nuk është as një akt heroizmi, natyrisht. Por ai mbetet një akt politik kundërshtie në dokumentet e marrëdhënieve tona me Brukselin. Mos ta harrojë askush, kur këtë akt e bën Shqipëria, zëri i së cilës  sot është më i dëgjuar dhe më i respektuar kur flitet për rajonin, sidomos për marrëdhëniet Kosovë-Serbi në Bruksel,  për Uashingtonin, atëherë kjo që bëmë ishte më shumë se sa një deklarim i papritur i Shqipërisë. Ishte një manifestim pakënaqësie dhe mosdakordësie konstruktive për të dhënë një mesazh të qartë mbi peshën e rëndë të asaj ngjarjeje në rrugën e përpjekjeve të përbashkëta për normalizim përmes dialogut dhe bashkëpunimit rajonal”.

Rama tha se gabimet e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi e vështirësojnë përpjekjen e Shqipërisë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Duhet të jetë shumë e qartë gjithashtu që ne nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral, siç janë prej kohësh tanimë dhe fatkeqësisht e them me keqardhje, një sërë çështjesh në Prishtinë, përfshirë edhe ndaj qeverisë sonë përmes zërash të dytë dhe të tretë. Por mbajtëm një qëndrim parimor dhe politik në funksion të nxitjes së Brukselit për të siguruar një përçapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare jo thjesht lidhur me ngjarjen dhe me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes, jo thjesht me fjalë por edhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë por edhe lidhur me çfarë vjen, çfarë mund të vijë dhe çfarë udhët të vijë nesër”.

“Pozicioni i dobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe të ShBA-së gjithashtu, si dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe në çdo rrethanë të mundshme”.

​Çfarë rezolute pritet të miratojë Kuvendi i Shqipërisë?

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot (12 tetor) për të diskutuar mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit. Në këtë seancë do të paraqitet edhe një projektrezolutë në mbështetje të Republikës së Kosovës.

Fillimisht, Kuvendi kishte pranuar dy projektrezoluta. Një të tillë e kishte paraqitur Partia Socialiste e Edi Ramës, si dhe një tjetër deputeti Gazment Bardhi që përfaqëson një grup të deputetëve demokratë.

Kërkesa që Kuvendi të kishte vetëm një projektrezolutë për të shprehur në mënyrë simbolike edhe unitetin e politikës shqiptarë karshi çështjes së Kosovës bëri që të dy grupet të ulen për të dakorduar një draft të vetëm që do të hidhet në votim.

Pas një jave bisedime, vetëm disa orë para seancës, Partia Socialiste dhe grupi i “Rithemelimit” të Sali Berishës u dakorduan për një projektrezolutë.

Aty thuhet se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë mbështet rezolutën e Kuvendit të Kosovës të miratuar më 28 shtator. Nxit Qeverinë e Shqipërisë dhe inkurajon atë të Kosovës të punojnë me partnerët strategjikë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit me njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia si dhe i kërkon Qeverisë së Shqipërisë që të angazhohet për një hetim ndërkombëtar për “24 shtatorin”.

Image

Mirëpo, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ose ndryshe grupi i Lulzim Bashës, ka shprehur pakënaqësi me këtë projektrezolutë.

Të njëjtit pritet që gjatë seancës të kërkojnë që kësaj rezolute t’i shtohen edhe tri pika të tjera.

Kërkesa e PD-së është që përmes kësaj rezolute t’i kërkohet Bashkimit Evropian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të mbajë përgjegjës Serbinë për aktin terrorist dhe ta sanksionojë të njëjtën si dhe të nxisë pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian që të njohin Kosovën dhe t’i hapin rrugë anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë do të kërkojë shumicë të thjeshtë në mënyrë që të miratohet.

Interpelancë, debat e rezolutë... Shqipëria mbledh Kuvendin për “24 shtatorin”

Kjo seancë e posaçme përfshin interpelancë me kryeministrin Edi Rama, e ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.

Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.

Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën.

Socialistët kanë dashur që në seancë të ketë vetëm miratim të rezolutës, mirëpo opozita parlamentare ka insistuar në debat. Kjo kërkesë ka kaluar në Konferencën e Kryetarëve, një mekanizëm analog me Kryesinë e Kuvendit në Kosovë, dhe sot pritet të ketë edhe debat mbi reagimin e shtetit shqiptar ndaj ngjarjeve në Kosovë.

Partia Socialiste, si grupi më i madh parlamentar, do të ketë minutazhin më të madh me 160 minuta hapësirë për diskutim. Pastaj është grupi parlamentar i Partisë Demokratike me 75 minuta, grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” 15 minuta, grupi parlamentar “Drejtësi dhe Integrim” 15 minuta, Partia e Lirisë 6 minuta si dhe Partia Socialdemokrate 6 minuta.

Gjithashtu, 25 minuta do të jenë të rezervuara për deputetët jashtë grupeve parlamentare, ose ai që njihet si grupi “Rithemelimi” në kuadër të Partisë Demokratike në krye të së cilës është Sali Berisha.

Në këtë seancë nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje deputetët: Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Elda Hoti, Bledion Nallbani, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani dhe Luan Bacci. Të njëjtit kishin penguar kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla në kryerjen e detyrave të saj në seancën e javës së kaluar dhe ndaj tyre është marrë masa e përjashtimit në seanca dhe komisione parlamentare deri më 18 tetor të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat