Kryeministri Edi Rama u shpreh në Kuvend se Serbia do të dorëzohet diplomatikisht dhe të pranojë njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur vetëm duke u ulur në tavolinë.
Rama: Mund t’ju shqiten iluzione votuesve për zgjedhjet e radhës duke u marrë mendjen me fabulën politike se si Kosova u çlirua nga Hashimi apo se si po mbrohet në llogore nga Serbia dhe Perëndimorët mendjelehtë që s’e kuptojnë Serbinë dhe që kanë harruar këtë edhe atë, dhe vetë historinë e tyre. Me këto plotformimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk do të arrihet kurrë, përkundrazi shtyhet pafundësisht.
Por është mirë që teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral ta dëgjojnë mirë sot, se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën, se të jem i bashkë akuzuar me Thaçin si tradhtar dhe nuk ka provë më të madhe se sa kjo aktakuzë e përbashkët me Hashimin për dritëshkurtësinë dhe për pa përgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores të lavdishme të UÇK-së, e cila do të jetë krenari shekujsh kur zhgarravitësit e sotëm të saj do të jenë harruar pa nam e pa nishan, kujtojnë se fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës pa të cilët, UCK nuk do ta kishte fituar dot kurrë luftën dhe Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës dhe fatkeqësisht kujtojnë se lufta diplomatike fitohet duke nxitur armiqësi ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe ndaj meje personalisht, Por as nuk kemi nevojë të marrim leje për të mbështetur kauzën e shtet njohjes së Kosovës me këmbëngulje, urtësi dhe vetëdijen e kësaj kohe që jetojmë, ku historia nuk shquhet me parrula duke parë nga e shkuara por me veprimin strategjik, duke parë nga e ardhmja. Nuk shkruhet si Oso Kuka dhe i vetëm trim në luftë por dorë për dore dhe me ato aleatë që dorë për dore shkruan historinë e fitores së lirisë me armët e UCK dhe me bombat e regjimit të së keqes së madhe në Beograd.
E mendoj shpesh se sa herë mund të rrotullohet në varr i ndjeri Ibrahim Rugova kur sheh se si djem dhe vajza të sotme të Prishtinës i bëjnë karshillëk komunitetit euro atlantik ndërkohë që ai komunitet përmes, Gjermanisë dhe Francës iu ka bënë një tryezë një plan daljeje përfundimtare në dritën e subjekteve shtetërore të Kombeve të Bashkuara por nuk arrin dot t’i mbajë ulur në tavolinë deri në ditën kur Serbia të dorëzohet diplomatikisht. Serbia do të dorëzohet diplomatikisht në tavolinë.