Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, vijon vizitën e tij në Britaninë e Madhe. Përmes rrjeteve sociale Manja ka dhënë detaje mbi takimet e zhvilluar në Parlamentin Britanik dhe Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.
“Në tempullin e parlamentarizmit britanik! Me Robert Neill, Kryetar i Komisionit për Çështjet e Drejtësisë dhe kolegë të tij diskutuam rolin e këtij komisioni në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së punës së ligjzbatuese në Mbretërinë e Bashkuar përfshi dhe Ministrinë e Drejtësisë”, shkruan Manja.
“Diskutuam për mbështetjen e vazhdueshme që komisioni ka dhënë për përdorimin e teknologjisë në sistemin gjyqësor, me qëllim rritjen e aksesit të qytetarëve tek drejtësia. Një vizitë mbresëlënëse në mjediset e një parlamenti ku ruhet një pjesë e rëndësishme e historisë botërore”, vijon Manja.
“Në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar! Me Lordin Hodge, gjyqtar dhe zv. President i Gjykatës Supreme, diskutuam mbi drejtësinë digjitale dhe rolin e inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë. Pas pandemisë, Anglia ecën me hapa të shpejtë drejt një drejtësie më të aksesueshme për të gjithë përmes teknologjisë”, bën të ditur Manja.