Kryeministri Edi Rama gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë ka komunikuar me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis.
Në një intervistë për “Opinion” ai u shpreh se kanë diskutuar së bashku në një takim bilateral mbi raportet mes dy vendeve.
Rama tha se në takim Mitsotakis ka hapur edhe çështjen e Fredi Belerit, por se ai i ka dhënë të njëjtën përgjigje që e ka dhënë publikisht.
Sa i përket deklaratave të Mitsotakis se kjo çështje do t’i kushtojë Shqipërisë në procesin e integrimit, Rama u përgjigj se në takime bilaterale nuk bëhen deklarata, por flitet në mënyrë shumë informale.
Edi Rama: Nuk dua të bëj komente që i kam bërë, historia dihet. Folëm në Samit, patëm një bisedë shumë, shumë të hapur si gjithmonë. Folëm dhe më vete, patëm takim bilatarel. Folëm, diskutuam. Shkëmbyem pikëpamjet. E informova që së shpejti do të inaugurohet busti i babait të tij që është i pari kryeministër i Greqisë që ka vizituar minoritetin.
Pyetje: A ju hapi çështjen e Belerit?
Edi Rama: Patjetër.
Pyetje: Cila ishte përgjigja juaj?
Edi Rama: E njëjta përgjigje që kam dhënë në publik dhe që nuk kam asnjë përgjigje tjetër.
Pyetje: A ju përmendi Mitsotakis që kjo do t’i kushtojë Shqipërisë rrugën e integrimit europian?
Edi Rama: Nuk flitet kështu në takime bilaterale, se takimet bilaterale nuk janë takime për të bërë deklarata. Në takime bilaterale flitet në mënyrë shumë informale.