Grupi i Laert Haxhiut që akuzohet për të paktën 6 vrasje dhe 5 shpërthime me eksploziv do të hetohet nga SPAK.
Hetimet fillimisht nisën nga Prokuroria e Elbasanit pas dëshmisë së Artan Tafanit që bashkëpunoi me drejtësinë duke zbardhur në total 18 ngjarje kriminale, përfshi edhe planin për eliminimin fizik të 2 prokuroreve, Doloreza Musabelliu e Merita Selimi.
Sipas prokurorisë së Elbasanit, grupi prej 16 personash kanë vepruar si organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal ndaj për këtë hetimet duhet të ndiqen nga struktura e posaccme kundër krimit të organizuar.
Artan Tafani u arrestua tre muaj pas grabitjes së një shume prej 30 mijë euro në një pikë të këmbimit valutor në Tiranë, ndërsa ishte nën hetim si i përfshirë në vrasjen e Alban Semakut, i njohur edhe si Elton Mermali, në tetor të 2021 në Peqin.
Ai tregoi disa prej vrasjeve dhe shpërthimeve me tritol që kanë tronditur vendin në vitet 2018-2021 në Elbasan, Tiranë, Lushnjë, Tepelenë, Korçë dhe Durrës.
Laert Haxhiu i cili konsiderohet edhe si drejtues i grupit, ndodhet i arrestuar në Greqi ndërsa pak ditë më parë gjykata e apelit vendosi pro ekstradimit drejt vendit tonë. Në Shqipëri gjatë operacionit “Never Forget” u vunë në pranga 12 persona ndërsa katër të tjerë janë ende në kërkim.