Vijon megaoperacioni “Tempulli”, arrestohet 15-vjeçari që u shiste drogë dy gjimnazistëve

Shqipëria

Vijon megaoperacioni “Tempulli”, arrestohet 15-vjeçari që u shiste drogë dy gjimnazistëve

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Një 15-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, gjatë vijimit të megaoperacionit “Tempulli”, pasi shpërndante drogë.

Adoleshenti edhe pse nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për të njëjtën vepër, u shiste dy 17-vjeçarëve kanabis.

15-vjeçari, i proceduar penalisht 9 herë më parë u arrestua nga Policia më datë 4 tetor në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.

Dy gjimnazistët, të cilët u kapën në banesën e arrestuarit duke blerë doza kannabisi janë vënë nën hetim.

“Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, si dhe i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë, për të garantuar që fenomenet kriminale të mos depërtojnë në shkolla, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrolleve në banesën e një 15-vjeçari, në lagjen “11-janari” (ku ky shtetas vuante masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, sepse ishte arrestuar nga Policia, me datë 4 tetor, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”), ky shtetas u kap në flagrancë duke iu shitur 2 gjimnazistëve 17-vjeçarë, doza të lëndës narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua 15-vjeçari, u proceduan në gjendje të lirë dy 17-vjeçarët, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje“, sipas policisë.

Policia shton se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme për të akuzuarit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat