Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar pasi Shqipëria doli nga lista gri e pastrimit të parave.
Çela shprehet se rezultati fryt dhe kontribut thelbësor i seksioneve të posaçme në 7 prokuroritë kryesore të vendit.
“Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave, fryt ky edhe i një kontributi thelbësor të seksioneve të posaçme në 7 prokuroritë kryesore të vendit, ngritur në kuadër të zbatimit të strategjisë së hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2020 për të luftuar fenomenin”, shkruan kryeprokurori në një postim në “X”.
Lajmin se Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave, në të cilën kishte hyrë në shkurt të vitit 2020, e dha sot (27 tetor) ministri i Financave, Ervin Mete gjatë një konferencë me FMN dhe BSH.
“Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar.
Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.
Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ministri Mete.