Lihet në burg ish-shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj

Shqipëria

Lihet në burg ish-shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 11:25
Dritan Metaj

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për shefin e komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj.

Ky i fundit i arrestuar gjatë operacionit “Flake në det “ për bashkëpunim me grupin e baronit të drogës Gëzim Çela.

Metaj kishte kërkuar në apelin e GJKKO një masë më të butë sigurie.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 30.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 52 akti, datë 26.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga i hetuari/ankuesi D.M., ndaj vendimit nr. 111, datë 10.10.2023 (në lëndë të masave të sigurimit) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 111 akti datë 10.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”-thuhet në njoftim.

Ish-shefi i policisë së Kurbinit Dritan Metaj, dyshohet se ishte pjesë e bandës së trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë, duke ndihmuar narkotrafikantin e shpallur në kërkim Gëzim Çela.

Metaj dyshohet se kryente rolin e transportuesit të anëtarëve të grupit kriminal, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për të shmangur kontrollet e uniformave blu.

Në kuadër të operacionit Flakë në det u shpallën gjithashtu në kërkim dhe shtetasit , Arben Dalipaj dhe Roland Guzo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat